Hartimi i strategjisë së komunikimit, nevojë imediate
Prishtinë, 24 maj 2010
Nga data 21-23. 05.2010, në Strugë të Maqedonisë, Instituti i Kosovës për Marrëdhënie me Publikun mbajti kursin “Strategjia e komunikimit/plani i aktiviteteve”. Ligjëruese ishin znj. Shkëndije Himaj, IMP, dhe znj. Simone Stein, drejtoreshë ekzekutive e agjencisë së komunikimeve “Bonne Nouvelle”, agjencia partnere e institutit.
Znj. Stein ndau me pjesëmarrësit përvojën e saj të gjatë si përgjegjëse për komunikim
në institucionet shtetërore të Gjermanisë, si dhe funksionimin e komunikimit ndër faza të ndryshme kohore, duke dhënë shembuj konkret të sfidave të komunikimit me të cilat janë përballur institucionet gjermane.
Përmes moduleve Analizimi i gjendjes së organizatës/institucionit, Objektivat dhe qasja strategjike, Hartimi i strategjisë së komunikimit etj., znj. Himaj nga “IMP” pjesëmarrësve u ofroi mundësi njohjeje të hartimit praktik të strategjisë së komunikimit, si dhe diskutim për të përmes diskutimeve, punëtorive dhe rasteve studimore për secilin modul.
“Për mua pjesëmarrja ne trajnimin "Strategjia e Komunikimit" ishte me rëndësi. Përmes këtij organizimi, përzgjedhjes se temës, përzgjedhjes së trajnerëve me eksperiencë në fushën e komunikimit
mendoj se keni arritur që përmes moduleve të këtij trajnimi të përcillni porosinë tek pjesëmarrësit për komunikim të mirëfilltë brenda dhe jashtë Institucionit/organizatës”- tha Arbëresha Baftiu, nga ATK, pjesëmarrëse në trajnim.